Video

Hoti paralajmëron masa të reja për fundvit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se situata me pandeminë ende është e rënduar. Ai ka thënë se edhe pse në dy javët e fundit kanë arritur t’i ulin shifrat e infektimit rreth 15 për qind, prapëseprapë gjendja është e vështirë. Përmes një njoftimi në facebook, Hoti ka bërë të ditur se masat aktuale do të vazhdojnë të jenë në fuqi, ndërsa ka paralajmëruar masa të reja për fundvit.

“Në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria në konsultim me profesionistët shëndetësorë, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%. Numri i të infektuarve për 100,000 banorë ka rënë nga 257 në 100 raste. Por, situata mbetet e rëndë dhe jemi të detyruar të mbajmë masat pasi burimet e infeksionit janë kudo, në veçanti në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve”, ka thënë Hoti.

Për shkak të fluksit të madh të njerëzve që pritet të shkaktohet nga festat e fundvitit, kryeministri ka thënë se janë duke hartuar masa të reja në mënyrë që t’i iket rritjes së rasteve të infektimit.

“Po përgatisim skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve”, ka deklaruar kryeministri.

Në 24 orët e fundit, si pasojë e infektimit me coronavirus, 12 persona kanë vdekur, duke e çuar në total në 1198 numrin e vdekjeve. Sipas njoftimit të IKSHPK-së, brenda 24 orëve janë testuar 1314 persona dhe prej tyre 462 kanë rezultuar pozitivë me COVID derisa janë shëruar 536 persona. Aktualisht, numri i pacientëve të shtrirë nëpër klinika në Prishtinë dhe në spitale rajonale është 874.

Kryeministri Hoti ka thënë se për të mbajtur gjendjen nën kontroll, duhet të respektohen masat e distancimit fizik dhe bartjes së maskës deri në vaksinimin e një pjese të konsiderueshme të popullatës.

Për sigurimin e vaksinës antiCovid, përpjekje është duke bërë Ministria e Shëndetësisë, e cila shpreson që në fillim të vitit të ardhshëm ta sjellë vaksinën në Kosovë.

Një javë më parë Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka aplikuar në Aleancën Botërore GAVI-COVAX. Sipas kryeministrit, IKSHPK-ja ka bërë gati planin e vaksinimit, duke vendosur me prioritet të moshuarit, qytetarët me sëmundje kronike dhe punëtorët shëndetësorë. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë për KosovaPress, se Kosova pritet që të përfitojë rreth 360 mijë vaksina falas nga Aleanca, ndërsa pjesën tjetër do të synojë ta sigurojë përmes blerjes.

“Përpjekjet janë që në muajit e parë të vitit 2021 të sigurohen këto vaksina dhe të fillojë procesi i vaksinimit, por kjo është çështje që është në zhvillim e sipër për shkak se siç e dini se vetëm një vaksinë është miratuar për përdorim dhe ne nuk mund ta përcaktojmë dinamikën se sa shpejt do të ketë vaksina të tjera”, ka bërë të ditur Hoti.

Nga vlerësimi i bërë të premten e shkuar nga Qeveria, 16 komuna janë në zonën e kuqe, 9 janë në zonë të verdhë dhe 13 në zonë të gjelbër.