Ngritja e temperaturave ditëve të fundit në Kosovë ka bërë që sheshet e Prishtinës të mbushen me njerëz.
Shumë qytetarë kanë zgjedhur sheshet për ta shijuar pasditen e së shtunës, madje disa prej tyre duke mos respektuar as masat kundër COVID-19.
Më 12 nëntor, Qeveria e Kosovës miratoi një sërë masash të reja, ku edhe u rikthye kufizimi i lëvizjes në disa komuna. Qytetarët janë të ndarë në dysh sa u përket masave anti-COVID.
Që nga 12 nëntori e deri më 5 dhjetor, janë konfirmuar mbi 16 mijë e 200 raste të reja me COVID-19, derisa në këtë periudhë mbi 300 persona kanë humbur betejën me virusin.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 14 persona të infektuar me COVID-19 kanë vdekur, 6 prej të cilëve nga Komuna e Prishtinës. Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në 24-orëshin e fundit, nga 1 mijë e 620 mostra të testuara, 560 kanë rezultuar pozitive.
Deri më tani, numri total i rasteve pozitive ka shkuar në mbi 42 mijë e 300, prej të cilëve mbi 27 mijë e 400 kanë arritur të shërohen, e 1 mijë e 87 raste kanë përfunduar me fatalitet.
Në anën tjetër, 939 pacientë janë duke u trajtuar në klinikat e QKUK-së e në spitale regjionale, prej të cilëve 651 janë të konfirmuar me COVID-19.
Sipas raportit të SHSKUK-së, 711 persona janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, e 12 janë në respiratorë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.