Video

Në përpjekjen e tetë, me 72 vota miratohet Projektligji për rimëkëmbje ekonomike

Në përpjekjen e tetë, Kuvendi e ka miratuar Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike. 72 deputetë kanë votuar pro në shqyrtimin e dytë të ligjit që ishte iniciuar gjashtë muaj më parë. Këtij projektligji i janë shtuar edhe 4 amendamentet e Partisë Demokratike të Kosovës, derisa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në votim.

Në tentimin e tetë, me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës i ka thënë “po” Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Seanca e jashtëzakonshme për këtë projektligj është thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila pas shumë kundërshtimeve i kishte premtuar votat e saj, por vetëm pas futjes së katër amendamenteve të propozuara nga kjo parti.

E para votimit të këtij projektligji, Liburn Aliu nga Vetëvendosje ka thënë se është e qartë që Qeveria Hoti nuk është stabile.

“Cila është iniciativa, nga PDK-ja apo LDK-ja, s'ka rëndësi sepse është brumi i njëjtë. Është një fond ku nuk specifikohet asgjë, ku Qeveria do ta ketë në dorë të vendos ad-hoc kujt do ia jap paratë”, tha Liburn Aliu – VV

Ndërkohë Arben Gashi, shef i GP të LDK-së, tha se duhet bërë bashkë pozitë e opozitë në interes të qytetarëve, teksa ka lavdëruar veprimin e PDK-së.

“Fatmirësisht për herë të parë më duhet me u pajtuar me Liburnin, që në momente kritike për vendin jemi bo bashke pra edhe me ju, në momente kritike duhet me u bo bashke për vendin, e jo me nejt me një skut duke pretenduar një ditë që ky popull do të zgjedh liderin e pakontestueshëm”, tha Arben Gashi – LDK.

“Është një ligj që i përkrah qytetarët e Kosovës bizneset. Përfitojnë bizneset, përfitojnë dhjetëra mijëra të punësuar në sektorin privat dhe që i kanë humb vendet e punës, përfitojnë qytetarët e Kosovës me mjetet e tërhequra nga trusti, ne e dimë që ata janë sot ne nevojë, dhe pas moshës 65 vjeçare. Prandaj është propozuar që ata që e kanë bazën më të ulët që shteti të i rimbursojë”, tha Bedri Hamza – PDK.

“Ne i kemi dhënë përkrahje dhe është e vërtet që kemi pasur pengesa nga lista serbe por LDK, PDK, NISMA dhe partitë tjera që kur është për qytetarët e gjejnë në një gjuhë të përbashkët kur dojn”, tha Daut Haradinaj – AAK.

Kryeministri Avdullah Hoti ka përmendur ndërkaq përfitimet që, ai ka thënë se, do t’i kenë qytetarët nga ky projektligj.

“Pakoja jonë e rimëkëmbjes ekonomikë është me e madhja në rajon dhe më gjerë. Kemi mbërri dy efekte që ti parandalojmë largimin nga tregu të bizneset dhe familjet të i ndihmojmë. Një skemë e veçante e këtij fondi që shkojnë në bujqësi por edhe në të tjera skene. Më e veçanta është tërheqja e 10% e trustit pensional”, tha Hoti.

Projektligji i lartcekur ishte miratuar në lexim të parë më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, me 64 vota pro.