Gjashtë muaj pas pranimit të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votimin e deputetit Etem Arifi, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur seancën dëgjimore me palët, e cila shkaku i situatës me pandeminë është mbajtur online. Deputeti Etem Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Ndonëse i dënuar, Arifi kishte votuar pro formimit të Qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit 2020.
Më 11 qershor të këtij viti, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paraqitur kërkesën e tyre, që vota e Arifit, në seancën e votimit të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, të shpallet e pavlefshme, e rrjedhimisht edhe Qeveria Hoti antikushtetuese. “Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë”, thuhej në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje të lëshuar në ditën e dorëzimit të kërkesës.
Këtë qëndrim, të mërkurën para gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, e prezantoi edhe përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu. Sipas tij, veprimet e deputetit Etem Arifi, që nga fshehja se është i dënuar e deri te votimi i Qeverisë Hoti janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Konsiderojmë që vendimi e vota e z. Etem Arifi duhet të shpallet e pavlefshme dhe në këtë aspekt vendimi i Qeverisë të shpallet kundërkushtetues”, tha Sallahu në deklarimin e qëndrimeve të palës që parashtroi kërkesën, derisa shtoi që nga Kushtetuesja nuk kërkojnë që procesin e votimit të Qeverisë Hoti ta kthejnë në pikën zero, por që t`i hapet rrugë shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Por me qëndrimet e parashtruesit të kërkesës nuk u pajtuan nga Qeveria e Kosovës. Besnik Berisha, përfaqësues i ekzekutivit në këtë seancë, tha se është jorelevante që legjislatura e shtatë të njoftohet për vendimin ndaj deputetit Arifi të bërë në legjislaturën e kaluar. “Z. Arifi e ka humbur mandatin në legjislaturën e gjashtë, pra pasoja e këtij vendimi e kësaj çështjeje penale është ekzekutuar dhe ka pasur fuqi në legjislaturën e 6-të”, ka thënë Berisha në arsyetimin e tij.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i kryetares së Kuvendit, Artan Murati, ka bërë të ditur se si institucion nuk kanë qenë në dijeni për dënimin e deputetit deri një muaj para votimit të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti. “Kuvendi nuk ka pas asnjë informacion të vetëm lidhur më dënimin e z. Arifi deri më datën 1 maj, kur kemi marrë në formë elektronike dosjet nga KGjK dhe pastaj më 4 maj edhe dosjet fizike nga Gjykata e Apelit”.
Kurse kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka treguar se qysh me vendimin e Gjykatës Supreme me 2017-të, kanë ndërprerë praktikën që për kandidatë për deputetë apo asamblistë të kërkojnë vërtetim se ndaj tyre nuk ka ndonjë vendim të formës së prerë nga gjykata. “KQZ-ja deri më 2017 ka pasur obligim sipas Ligjit për zgjedhje që të kontrollojë përshtatshmërinë e të gjithë kandidatëve të cilët kandidojnë për asamble apo për Kuvendin”, ka thënë kryetarja e KQZ-së.
Në zgjedhjet e vitit 2017, Gjykata Supreme pati miratuar ankesën e Zafir Berishës, i cili ka qenë kandidat për kryetar të Prizrenit, pas vendimit të KQZ-së për decertifikimin e pjesëmarrjes së tij në zgjedhje. Kjo, shkaku se Berisha është shpallur fajtor për akuzën se në mënyrë të paautorizuar ka bërë lidhjen e rrymës. Përveç Berishës, KQZ-ja më 12 shtator 2017 ka decertifikuar 86 kandidatë për zgjedhje komunale për shkak se, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, figuronin si persona që kishin kryer vepra penale në tre vjetët e fundit. Këtë vendim KQZ-ja e mori në bazë të nenit 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme. Por që, pas vendimit të Supremes për Berishën, KQZ-ja pati ricertifikuar të gjithë kandidatët e decertifikuar më parë.
Seanca e Gjykatës Kushtetuese më tutje ka vazhduar me komentet e palëve pas deklarimeve të tyre, si dhe me pyetjet e gjyqtarëve për ta. Në këtë seancë, përveç përfaqësuesit të Vetëvendosjes, Blerim Sallahu, atij të kryetares së Kuvendit, Artan Murati, të ekzekutivit, Besnik Berisha, e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, kanë marrë pjesë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, kryetari i Komisionit për legjislacion, Shkëmb Manaj, dhe Astrit Hoti nga Këshilli Gjyqësor. Në fund të seancës, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama, i ka njoftuar palët se kanë kohë deri më 7 dhjetor që me shkrim të paraqesin argumentet e prezantuara në seancë. Rama ka bërë të ditur se seanca në të cilën do të merret vendimi për çështjen e votës së deputetit Etem Arifi do të mbahet ditëve në vijim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.