Kompania “Contour Global” është tërhequr nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, por jo edhe nga pretendimi për kompensimin e asaj që ajo e quan investim në këtë projekt energjetik. Kompania amerikane, që rastin e ka dërguar në Arbitrazh, kërkon 20 milionë euro dëmshpërblim.
Hapjen e kontestit në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori “Contour Global” e ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Sipas Ministrisë, më 24 maj të këtij viti ishte paraparë që të bëhej mbyllja e këtij projekti, por dështimi i arritjes në kohë dhe dështimi i disa përpjekjeve për zgjidhje të kontestit ka bërë që investitori ta çojë Kosovën në Arbitrazh, raporton KOHA.
“Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, dërgimi i Kosovës në Arbitrazh është pasojë për, siç kanë thënë, e kontratës së krijuar me procedura të dyshimta ligjore e në dëm të interesave të vendit.
Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, ka thënë se shpreson që Qeveria të shfrytëzojë vonesat e investitorit dhe të gjejë rrugë ligjore që të mos paguajë shumën e kërkuar nga kompania.
“Dërgimi i këtij rasti në Arbitrazh nga ana e ‘Contour Global’ nuk ka një bazë të mjaftueshme për dështimin e Kosovës, pasi vetë kompania ka dështuar që të sigurojë financimin e projektit që ka marrë, megjithëse kishte gjithë shtetin e Kosovës mbrapa, të gjithë parametrat në kontratë që ia mundësonin asaj që të gjente financimin. Ajo ka dështuar që të sigurojë financimin dhe është tërhequr vetë nga zbatimi i kësaj kontrate”, ka theksuar ai.
Ishte vetë kompania ajo që kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ndër arsyet ka përmendur pamundësinë që në të ardhmen të ndërtojë projekte me bazë thëngjillin, si dhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.
Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, ka theksuar se kjo është pasoja e një dëmi të madh që është bërë me nënshkrimin e kësaj kontrate.
“Çfarëdo dënimi që do të marrë Kosova është më i paktë sesa ndëshkimi që do të vinte po të vazhdonte kjo kontratë. Për ne ndalimi i zbatimit të kësaj kontrate ka qenë një lajm i mirë”.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mekanizmat ligjorë brenda kontratës për të kërkuar dëmshpërblim për tërheqjen e “Contour Global” dhe të mos paguajë për këtë pjesën që po pretendon kompania se duhet të paguhet nga Qeveria.
“Në kontratë është paraparë mbulimi i shpenzimeve, por kjo në rastet kur Qeveria tërhiqet nga kjo kontratë dhe jo në rastet kur kompania dështon që të plotësojë ose zbatojë zotimet që i ka marrë në kontratë”, ka thënë ai.
Kompania “Contour Global” ka nënshkruar marrëveshje me Qeverinë nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt, në dhjetor të 2017-s. Në qershor të 2018-s kjo kompani kishte hapur tender për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Në maj të vitit 2019 oferta e kompanisë “General Electric” ishte përzgjedhur për ndërtimin e termocentralit. Ky projekt parashihej që të fillonte ndërtimin deri në fund të 2019-s, ndërsa afati për përmbushjen e kontratës për ndërtimin e TC “Kosova e Re” ka qenë deri në muajin maj të 2020.
Për realizimin e këtij projekti me kapacitet 500 megavatesh ka qenë i planifikuar t’i kushtojë 1.3 miliardë euro.
Banka Botërore ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr. Pas BB-së, edhe institucionet e tjera financiare janë tërhequr nga ky projekt.
Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka bërë të ditur se më 24 maj ka pranuar një letër nga kjo kompani, përmes së cilës e ka njoftuar se synon shkëputjen e marrëveshjes.
Ajo kishte thënë se është “e befasuar dhe e zhgënjyer që “Contour Global” ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën “e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit”.
Ministria kishte njoftuar se para se drejtuesit e “Contour Global” të përgatisin letrën, ish-ministrja Rozeta Hajdari i ka ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.
“Në vend të përgjigjes ndaj ftesës sonë, ‘Contour Global’ ka dërguar letrën për të njoftuar se synon shkëputjen e kontratave dhe për të kërkuar pagesën. Letra është vazhdimësi e përbuzjes që ‘Contour Global’ ka shfaqur ndaj detyrimeve të veta kontraktuese”, ka thënë në Ministri.
Kjo ministri ka thënë se më 10 mars të këtij viti Qeveria ka rithemeluar komitetin drejtues të projektit “Energjia nga linjiti”, që përfshin termocentralin “Kosova e Re”. Ndërsa më 12 mars, ministrja Hajdari ka njoftuar përfaqësuesit e “Contour Global” se kërkon diskutime të mëtejshme rreth projektit, në veçanti rreth parakushteve që palët duhej të përmbushnin.
MEPTINIS thotë se më 17 mars “Contour Global” ka njoftuar publikisht tërheqjen e njëanshme nga projekti.
“Duke hedhur poshtë detyrimet kontraktuese, duke fajësuar pa bazë Qeverinë dhe duke shprehur spekulime të pabaza mbi çështje politike, në dëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.