Në kohën kur në klinikat e QKUK-së janë të hospitalizuar mbi 200 pacientë me Covid 19 që kanë nevojë për trajtim me oksigjenoterapi, tenderi për furnizim me oksigjen është pezulluar.
Në vendimin e zyrës së prokurimit të SHSKUK-së, të marrë të hënën thuhet se ky ‘aktivitet i Prokurimit për furnizim me oksigjen medicinal nga lista esenciale për nevojat e SHSKUK-së pezullohet”, për shkak të një kërkese për rishqyrtim nga një operator ekonomik, raporton KOHA.
Koha ka marrë vesh se pezullimi do të zgjasë vetëm 24 orë.
Ndërsa në kontratën e cila ishte e hapur në fillim të muajit nëntor dhe ishte 12-muajshe, afati i liferimit ishte 24 orë derisa furnizimi me oksigjen parashihej të bëhej në klinikat e QKUK-së dhe 7 spitalet rajonale.
Vlera e këtij tenderi të ndarë në dy llote ishte 2.2 milionë euro. Por, njëri nga operatorët ekonomikë ka kërkuar sqarime shtesë lidhur me këtë kontratë që pritet të nënshkruhet.
Sipas ankesës së këtij operatori, buxheti i alokuar dhe sasitë e kontraktuara nuk janë në proporcion me nevojat dhe logjikën e kontraktimit.
Gjithashtu, SHKUK-së i janë kërkuar sqarime se si është e mundur që buxheti kryesor është koncentruar në furnizim me bombola të oksigjenit mjekësor, e që sipas këtij autoriteti, është në kundërshtim me tenderin për furnizim me tanke.
U.d i SHKUK-së, Saudin Maliqi, ka thënë se furnizimi aktualisht me oksigjen është stabil dhe nuk ka dhënë detaje të tjera, derisa ka thënë të mos jetë në dijeni për tenderin e pezulluar nga zyra e Prokurimit.
Drejtori i kompanisë e cila aktualisht është duke e furnizuar QKUK-në, Medical Group, Skender Kutllovci përmes telefonit, i ka thënë KOHËS se furnizimi me oksigjen është stabil, sidomos i atij të lëngshëm, por se ata nuk po arrijnë fizikisht t’i mbushin bombolat e oksigjenit bazuar në kërkesat që ka SHSKUK-ja.
Numri i lartë i pacientëve të cilët kanë nevojë të trajtohen me oksigjenoterapi ka rritur në mënyrë enorme shpenzimet e oksigjenit në klinikat dhe spitalet rajonale të SHSKUK-së.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.