Kërkesa e Vuçiqit për ta vizituar Kosovën konsiderohet ofenduese e provokuese
1
Ministria e Punëve të Jashtme e ka konsideruar ofenduese kërkesën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të vizituar Kosovën këtë të shtunë.
Presidenti Vuçiq, ditë më parë, i ka kërkuar leje Ministrisë që ta vizitojë Kosovën së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ish shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, dhe shefin aktual të kësaj zyre, Petar Petkoviq. Ekipi i presidentit serb ka kërkuar që në Kosovë të jenë të premten mbrëma për t’i bërë përgatitet e nevojshme, raporton KOHA.
Përveç ofenduese, përmes një deklarate për media, ministrja Meliza Haradinaj e ka cilësuar edhe provokuese kërkesën e Vuçiqit.
Duke iu referuar dyshimeve për gjetjen e varrezës masive në Kizhevak të Serbisë, ministrja Haradinaj ka thënë se në rrethana të tilla secila kërkesë e Serbisë do të ketë përgjigjen e njëjtë.
Për këtë të shtunë, Haradinaj ka paralajmëruar të vizitojë lokacionin e varrezave masive në Serbi. Por, në deklaratën për media, ajo ka thënë se këtë vizitë e ka shtyrë “për një kohë tjetër”.