Video

Familjarët po u qëndrojnë afër të hospitalizuarve me COVID-19 me gjithë rrezikun

16 persona kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, ndërsa nga 1 mijë e 566 mostra të marra në 24 orët e fundit pozitive kanë dalë 690.

Prishtina vazhdon të prijë për nga numri i të infektuarve me gjithsej 277 raste të reja.

E nga 107 pacientë të hospitalizuar në Klinikën Infektive, 60 për qind e tyre janë me oksigjernoterapi, ndërsa 9 pacientë në respiratorë.

Ndërkohë, familjarët po u gjinden pacientëve të shtrirë në QKUK, gjë që është duke ngritur shqetësime për infektimin edhe të tyre.

Por drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj- Berisha, ka thënë se nuk i lejojnë familjarët të qëndrojnë me të infektuarit, por ata vetë gjejnë mënyra për t’u futur brenda.

“Nuk është mirë të qëndrojnë familjarët, sepse janë burim infeksioni dhe me rrezik të lartë, mirëpo në qoftë se familjari është COVID pozitiv mund të qëndrojë, por mundohemi në mënyrën sa më të mirë t’i menaxhojmë që mos të qëndrojnë aty”, ka deklaruar Ajazaj Berisha.

Me COVID-19 janë prekur edhe një numër i madh i stafit shëndetësor në QKUK.

Anesteziologu Lulzim Emini ditë më parë në emisionin DESKU në KTV pati deklaruar se për t’i përmbushur nevojat e pacientëve, do të duhej të pranoheshin edhe 500 infermierë të tjerë dhe të mos stërzgjaten procedurat për rekrutimin e tyre.