Në kohën kur punimet në ndërtimin e lagjes “Lugina e Diellit” në Zveçan janë drejt përfundimit, ku është paralajmëruar vendosja e rreth 1500 serbëve, organi më i lartë legjislativ ka kërkuar përgjegjësi dhe llogari nga ekzekutivi lidhur me ndërtimet që po ndodhin në veri të vendit dhe mosintegrimin e banorëve shqiptarë të veriut.
Për më shumë se 3 orë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë folur dhe akuzuar njërin-tjetrin për dështimet që të rikthejnë shqiptarët në pronat e tyre në veri të vendit, raporton KOHA.
“Komunat paralele nuk janë duke lejuar kurrsesi që të ndërtohet ndonjë shtëpi apo banesë kolektive për shqiptarët në veri të Mitrovicës apo Zveçan, e këtu hyjnë edhe shtëpitë e rrënuara tërësisht gjatë vitit ‘99, bile as të rinovohen së paku. Të gjitha këto veprime janë duke u bërë me qëllim që në një të ardhme të afërt, gjatë zgjedhjeve lokale, shqiptarët të mos arrijnë të fitojnë vota, asnjë vend në asamblenë komunale të Mitrovicës në veri, dhe kështu edhe kjo asamble komunale të jetë 100 qind për qind vetëm e serbëve”, ka deklaruar Valdete Idrizi, deputete e PDK-së.
E Time Kadriaj nga AAK-ja ka thënë se institucionet nuk duhet ta lejojnë këtë.
“Çdo ditë kemi pa raportime për kolonializim që po ndodh në veri në tokat e banorëve shqiptarë. Të rinjtë shqiptarë raportojnë çdo ditë për diskriminimet në konkurset e punës. Ne duhet t’u garantojnë banorëve shqiptarë ka një tendencë që shteti serb për kolonizim të ndalet Mitrovica është tokë e Kosovës dhe ata duhet të kthehen në pronat e tyre”, ka thënë Kadrijaj.
Rexhep Selimi, shef i Grupit parlamentar të VV-së, ka deklaruar se në veri në mënyrë sistematike po vazhdojnë projektet.
“Serbia gjithmonë ka qenë e njëjtë për shqiptarët e ka rritur territorin e vet me tokat. Kështu po mendohet të bëjë edhe tash. Serbia përdori të gjitha mekanizmat e dhunës për dëbimin e shqiptarëve nga tokat e tyre. Pas luftës sonë dukej që projekti i Serbisë së Milosheviqit duket se po ndalej edhe dhuna e spastrimit, por nuk doli kështu veçmas aty e ruajti ndikimin përmes mekanizmit kriminal”, ka deklaruar Selimi.
Por ky debat për veriun nga Lista Serbe u konsiderua si qëllimisht i politizuar dhe në dëm të veriut.
“Por tani pretendimet tuaja mund të dëmtojnë paqen në veri. Fjalimi im sot s’ka të bëjë me ata që nxiten këtë debat, por qytetarët sepse s’dua që ata të mashtrohen. Pse nuk flasim për rreziqet me të cilat ballafaqohen serbët në pjesët e tjera të Kosovës, por s’flasim sepse ata s’jetojnë më aty. Në Prishtinë mungojnë 40 mijë serbë e në pjesën jugore jeton vetëm një prift madje edhe atë duke e ruajtur policia. Mitrovica e veriut është mjedis i vetëm, multietnik urban në Kosovë. Kur flasim për të zhvendosurit janë kthyer më pak se 2 për qind në pjesën veriore”, ka thënë Igor Simiq nga Lista Serbe.
Deklarimi i Simiqit nxiti Arbër Rexhajn nga Vetëvendosje që t’ia përmendë atij krimet nga serbët gjatë luftës, si dhe kërcënimet dhe presionin që përjetojnë serbët e veriut nga zyrtarët e Listës Serbe.
Debati për kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre u shfrytëzua edhe për lëvdata nga deputetët e PDK-së.
Nga ekzekutivi në këtë seancë ishte vetëm zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, i cili pranoi se nuk ka progres të duhur sa i përket rikthimit të shqiptarëve në veri.
“Ju njoftojmë se në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Punës është paraparë ndërtimi i 10 shtëpive, por duhet pajtuar se nuk ka ndonjë progres, por zotohemi se do të lëvizim në këtë drejtim”, ka deklaruar Selmanaj.
Pas dakordimit mes grupeve parlamentare, Komisioni për të drejtat e njeriut pritet që në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës të dalë me një rezolutë sa i përket kësaj teme.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.