Në pamundësi të aplikimit në formë elektronike për ta kryer masterin në Kosovë, Edona Bajçinca ka sjellë dokumentacionin për aplikim të shokut të saj nga Tirana.
Bajçinca thotë se shoku i saj e ka pasur të pamundur të udhëtonte për në Kosovë, raporton KOHA.
“Por që mos të vijë dy herë, për paraqitje dhe për provim pranues, të cilit duhet t’i nënshtrohet fizikisht, për të më lehtë do të ishte provimi në mënyrë digjitale, por shpresoj se do të bëhet ndonjë ndryshim nëse vazhdon kjo gjendje. Gjithqysh që do ishte më e lehtë forma online, nëse ai kishte pasur mundësi me apliku”, ka thënë Bajçinca.
Sikurse Bajçinca, me dhjetëra studentë janë detyruar që të vijnë fizikisht, gjë që edhe ka bërë të krijohen tollovi.
Rektorati i Universitetit të Prishtinës kërkon prezencën e tyre fizike gjatë dorëzimit të fletëpagesave për regjistrim të semestrit dimëror, për marrjen e ID-së për studentët e rinj, si dhe për dorëzimin e dokumentacionit për regjistrim në nivelet bachelor dhe master.
Me vendim të UP-së 30 tetori ishte data fundit deri kur studentët e rinj mund të regjistroheshin.
Po me vendim, atyre Rektorati nuk ua ka mundësuar që t’i dorëzojnë fletëpagesat për regjistrim të semestrit dimëror në formë elektronike.
Nga kjo kanë përfituar më së shumti qendrat ku kryhen pagesat për semestër dhe shërbime të tjera, por edhe atje janë parë që masat nuk janë respektuar.
“Në këtë kohë jemi me student që po aplikojnë për afatin e dytë në fakultet për bachalor dhe master. Kjo kohë është e ngarkuar sepse kanë filluar të aplikojnë studentët dhe kemi të tillë që vijnë në numër shumë të madh. Vijnë për pagesë për semstër, për certifikatë të notave dhe për tema të diplomës. Në kohën e pandemisë nuk ka pasur student që kanë ardhur për printim, pasi që pagesat janë dërguar në formë elektronike”, ka deklaruar Albina Maliqi, punonjëse në lokal për fotokopje.
Rektorati i UP-së pati marrë vendim që paraqitja e provimeve të bëhej në formë elektronike në kohën kur numri i rasteve ishte më i vogël.
Drejtuesit e saj nuk kanë kthyer përgjigjeje pse e kanë marrë tash këtë vendim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.