Video

Personeli shëndetësor japin një version tjetër: Agon Musliu s’dukej i shqetësuar

1

Vdekjes së dyshimtë të 26-vjeçarit, Agon Musliu, iu shtua edhe një version, ndryshe prej deklarimeve të deritanishme.

Mjekja dhe infermierja kujdestare, të cilat kishin pasur kontakt me Agon Musliun, pas kthimit të tij nga Gjermania, thanë se nuk kishte paraqitur ndonjë shqetësim për shëndetin e tij, qoftë fizik apo mendor.

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për menaxhimin e pandemisë, ato theksuan se shqetësim të vetëm Musliu e pati përkujdesjen ndaj nënës së tij, raporton KOHA. 

“Çdo pacient që ka pasur dokument për sëmundje e kam liruar. Bile për Agonin e kemi të freskët rastin, i kemi thënë që nëse ki dokument se nëna jote është e sëmurë, ua ofron në karantinë. Ai shqetësim ka pasur veç për nënën, jo për veten. Po ka thënë që për nënën është duke u kujdesur vetëm një kushëri. Nëse unë e kisha liruar Agonin, kisha bo vepër penale. Babën kurrë nuk e ka përmend, bile ne jemi habitur kur i kemi pa raportimet”, ka thënë Hidajete Pireva, mjeke.

E njëjta gjë u pohua edhe nga infermierja, Vlora Maholli, e cila theksoi se gjendja e Musliut dukej e qetë.

“Agoni ka ardhur drejtpërdrejt tek unë. Është dukur në rregull, e kam pyetur a ke ndonjë dokument se duhesh me u liruar nga karantina, më tha që jo, por nuk duhet të shkoj në karantinë se e kam nënën vetëm. I thashë a ki ndonjë dokument për nënën, tha jo as për të nuk kam. Asnjë lloj dokumenti nuk ka paraqitur Agoni, madje as verbalisht nuk ka deklaruar se ka ndonjë shqetësim. Babën nuk e ka përmend askund, në asnjë fjali", ka thënë Maholli.

Versionin e saj për ndodhinë tragjike në Komision parlamentar e dha edhe Hajrie Hoti, mjeke e QKMF-së në Prishtinë, e cila i kishte bërë kontrolle mjekësore qytetarëve që ishin karantinuar.

Me këtë rast, Hoti pohoi se nuk ka pranuar asnjëherë thirrje për ta kontrolluar Agon Musliun.
“Për Agon Musliun unë nuk e njoh, dhe s’kam pasur kërkesë nga ai për kontrolle. Po të më kishin lajmëruar asnjëherë nuk kish ardhur puna këtu", ka thënë Hoti.