Pas më shumë se 8 muajve qëkur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka filluar me testimin e mostrave për COVID-19, këtë të shtunë është shënuar numri rekord i testimeve.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 1 mijë e 28 mostra në IKSHPK e në laboratorë privatë, prej të cilave 148 kanë rezultuar pozitive, e totali ka arritur në mbi 16 mijë.
Derisa numri i të vdekurve nga ky virus mbetet 652, pasi që asnjë rast vdekjeje nuk është shënuar gjatë kësaj periudhe, raporton KOHA.
Me 56 pacientë të shëruar brenda 24 orëve, numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në mbi 14 mijë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili përmes një statusi në Facebook tregoi për numrin rekord të të testuarave, ka kërkuar më shumë kujdes e respektim të masave për COVID-19, derisa ka thënë se deri tash 410 shkolla janë testuar dhe se 10 prej tyre kanë kaluar në mësim në distancë.
Zemaj tutje ka thënë se secili institucion do të raportojë për veprimet e marra për ta parandaluar një valë tjetër të pandemisë.
E me rritjen e numrit të të infektuarve ditëve të fundit edhe Policia e Kosovës duket më e ashpër për sa u përket gjobave të shqiptuara. Për tri ditë radhazi, në Kosovë është regjistruar rritje e rasteve të gjobave ndaj qytetarëve që nuk kanë respektuar masat anti-COVID.
Policia e Kosovës të shtunën ka njoftuar se ka shqiptuar 1 mijë e 168 tiketa në bazë të ligjit COVID-19 në 24 orët e fundit. Dy ditë më parë, po ashtu, policia ka shqiptuar mbi 1000 gjoba.
Në anën tjetër, edhe në klinikat e QKUK-së e në spitalet regjionale ka filluar që të ketë numër më të lartë të personave që po kërkojnë trajtim spitalor. Gjatë së shtunës aty janë trajtuar gjithsej 120 persona të konfirmuar me COVID-19. Nga ta, 2 janë në respiratorë e 115 me oksigjenoterapi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.