Pengimi i drejtësisë është dyshimi mbi të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arrestuar dy zyrtarët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar pasditen e së premtes dhe të njëjtit janë dërguar në Hagë.
Sipas avokatit Tomë Gashi, së shpejti do të vendoset nëse ndaj të arrestuarve do të caktohet masa e paraburgimit, raporton KOHA.
“Që të dy janë të dyshuar për pengim të drejtësisë, që të dy janë në Hagë. Së shpejti, do të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili do të vendosë për caktimin e paraburgimit apo jo. Megjithatë nuk dihet kur (dalin para gjyqtarit)”, ka thënë Gashi.
Derisa njoftimi për kreun e OVL-së së UÇK-së është publikuar pak orë pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, një të tillë nuk e bën edhe për nënkryetarin Haradinaj.
Informacione lidhur me të nuk kanë dhënë as gjatë ditës së shtunë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se aktualisht nuk është koha e duhur për të dhënë detaje lidhur me çështjen e nënkryetarit të OVL-së.
Informacione nuk kanë dhënë as nga Dhomat e Specializuara, derisa kanë kërkuar që t’i referohemi komunikatës së lëshuar një ditë më parë për kryetarin Hysni Gucati.
Një ditë pas arrestimit të kryetarit të OVL-së, Hysni Gucati, dhe nënkryetarit Nasim Haradinaj ka reaguar kryeministri Avdullah Hoti. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se “veprimet e Dhomave të Specializuara burojnë nga përgjegjësitë e tyre ligjore dhe kushtetuese dhe duhet konsideruar si veprime të pavarura të drejtësisë”.
Për dallim prej subjekteve të tjera politike, lidhur me veprimet e Dhomave të Specializuara nuk ka reaguar vetëm Lëvizja Vetëvendosje.
Të premten, hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar e zyrtarë të EULEX-it, për tetë orë kanë bastisur zyrat e organizatës së veteranëve. Nga aksioni i tyre, ata kanë konfiskuar dy shtëpiza kompjuteri e xhirimet e kamerave të sigurisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.