Një nga figurat më të larta komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Agim Çeku, është ftuar si i dyshuar nga Prokuroria e Specializuar.
Çeku për KOHËN ka bërë të ditur se ftesën për intervistim e ka marrë të mërkurën, derisa për në Hagë do të udhëtojë më 28 shtator.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera, derisa i është shtuar listës së ish-zyrtarëve të lartë të UÇK-së që po hetohen për krime lufte nga Specialja.
E të enjten edhe një nga themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, ka përfunduar këtë të enjte intervistimin nga zyrtarët e Prokurorisë së Specializuar.
Ahmeti është marrë në pyetje për dy ditë radhazi në ambientet e EULEX-it, në Prishtinë.
Pas intervistimit Ahmeti ka thënë se nuk i lejohet të japë detaje nga marrja në pyetje.
Ndërkohë Dhomat e Specializuara kanë miratuar Rregulloren e ndihmës juridike.
Ky dokument do të definojë mënyrën e ofrimit të ndihmës juridike për të dyshuarit ose të akuzuarit në Speciale.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.