Video

Më 2 shtator vazhdon dialogu Kosovë-Serbi, nuk ftohet Thaçi

Shtëpia e Bardhë në Amerikë do të jetë lokacioni i radhës pas Brukselit, ku Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun.

Takimi i shtyrë i 27 korrikut në Uashington, është caktuar për 2 shtator.

Organizimin e takimit e ka konfirmuar i dërguari amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Mirëpo, në takimin ku është paralajmëruar të bisedohet për ekonominë, bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti pritet të mos jetë edhe presidenti Hashim Thaçi.

Kështu të paktën ka lënë të kuptohet Grayson Vincent nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

KOHA ka pyetur zyrtaren amerikane nëse Thaçit i është dërguar ftesë për këtë takim, por ajo ka përmendur vetëm Hotin dhe Vuçiqin si liderë që do t’i zhvillojnë bisedimet.

Për pjesëmarrjen apo jo të Thaçit në takimin e Uashingtonit, KOHA ka pyetur edhe Presidencën, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

E, kreu i shtetit pa përmendur përbërjen e delegacionit kosovar ka shkruar në Twitter se mirëpret organizimin e takimit.

Ndërsa, kryeministri Hoti ka thënë se me palën serbe do të diskutohet për projekte madhore ekonomike.

Njohësit e zhvillimeve rreth dialogut vlerësojnë se pas marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në takimin e 2 shtatorit, SHBA-ja do t'i shtyjë palët për të arritur një marrëveshje që lidhet me ekonominë.

Takimi mes përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë ishte planifikuar të mbahej më 27 korrik, por ai u shty pas publikimit të aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.