Video

Laboratorët do t’i raportojnë në IKSHPK rezultatet e testeve për COVID-19

Kosova ka shënuar përsëri numër të lartë të të vdekurve si pasojë e Covid-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të IKSHPK-së, 14 persona kanë vdekur nga koronavirusi, duke e çuar në 341 numrin e të vdekurve. E nga 506 mostrat e testuara nga IKPSHK, 172 persona kanë rezultuar pozitivë.

Në anën tjetër, Bordi për Licencim të Institucioneve Private ka licencuar 29 laboratorë, ku 27 prej tyre do të kryejnë testime serologjike, ndërsa dy të tjerë molekulare RT PCR.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se gjatë ditëve në vazhdim ky bord do të vazhdojë të shqyrtojë edhe aplikacione të tjera, raporton KOHA.

Ndërsa që nga e marta Inspektorati do të inspektojë laboratorët derisa të gjithë ata që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara do t’u revokohet licenca.

E në mesin e laboratorëve të cilët kanë aplikuar për licencim është edhe laboratori ‘Analiza’. Biokimisti klinik, Driton Sopa tha se kapaciteti i këtij laboratori është 200 deri në 300 teste brenda ditës, derisa shtoi se ky laborator vetëm ka aktivizuar kapacitetet për këto testime, pasi që kushtet tashmë ishin të plotësuara.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se të gjitha rezultatet dhe metodën e testimit këta laboratorë do t’i raportojnë në IKSHPK në baza ditore, e të cilat më pas do të përdoren si të dhëna zyrtare nga ky institucion.

Në Kosovë deri më tani janë mbi 10 mijë persona pozitivë me koronavirus, ndërsa rreth 4 mijë raste aktive. Numri i atyre që deri më tani janë shëruar është mbi 6 mijë.