Ani pse Kosova ditët e fundit është duke shënuar shifra rekorde me të infektuar e të vdekur nga COVID-19, pronarë të lokaleve të gastronomisë nga e gjithë Kosova u mblodhën këtë të hënë te sheshi “Zahir Pajaziti” për të protestuar.
Gastronomët, në shenjë simbolike, kanë mbajtur nga një çelës të shkruar me emrin e biznesit të tyre, duke marshuar deri te sheshi “Skënderbeu”, aty ku edhe i hodhën, transmeton KOHA.
Me të arritur aty, ata u përballën me zyrtarë policorë, e të cilët edhe u bënë thirrje që të shpërndaheshin, për të mos rrezikuar shëndetin, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Gastronomët, ndërkaq, u ankuan se janë në prag të falimentimit dhe se po punojnë me vetëm 20 për qind të kapaciteteve, dhe se shkurtimi i orarit u ka sjellë dëme të shumta.
E në rast se nuk ka reagime nga Qeveria, të hënën e ardhshme do t’i sjellin arkat fiskale.
Sipas Shoqatës së Gastronomëve, janë rreth 4 mijë biznese e rreth 30 mijë punëtorë të sektorit të gastronomisë. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ditët në vijim do të rishqyrtojë masat kundër përhapjes së koronavirusit, e që njëra ndër masat që pritet të rivlerësohen, do të jetë edhe gastronomia.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.