Në tri ditët e fundit numri i testimeve për Covid-19 në Kosovë ka rënë për gjysmë, krahasuar me numrin e testimeve në javët e kaluara. Por, gjatë kësaj kohe është shtuar numri i të infektuarve.
Vetëm gjatë të dielës janë marrë 202 mostra për testim, e prej tyre kanë rezultuar pozitivë 87 persona. Ky trendi i rritjes së numrit, me gjithë testimet më të pakta, ka qenë gjatë gjithë javës së kaluar, raporton KOHA.
Nga 1 qershori e deri tani janë bërë gjithsej 8 mijë e 371 testime, prej tyre 1 mijë e 594 rezultuan pozitivë e 19 persona vdiqën nga ky virus.
E numrin e vogël të testimeve të bëra gjatë kësaj kohe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, e ka arsyetuar me numrin e stafit në këtë institucion.
Pikërisht rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 dhe mosrespektimi i masave nga qytetarët ka mbledhur Komitetin për menaxhimin e pandemisë.
Pas kësaj mbledhjeje kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se situata me pandeminë është nën kontroll.
Derisa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka treguar se së shpejti ekipit të IKSHPK-së do t’i shtohen edhe laborantë e mikrobiologë të tjerë.
Në anën tjetër, në Klinikën Infektive gjatë të hënës është bërë e ditur se janë duke marrë trajtim 113 persona, gjashtë prej të cilëve vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Deri tani në Kosovë numri i të prekurve me Covid-19 është 2 mijë e 677, prej tyre 1 mijë e 425 raste kanë arritur të shërohen.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.