Video

Osmani nis me Obiliqin turneun “Vizita e Gjelbër”

Kthimin e vëmendjes në përmirësimin e mjedisit është duke synuar ta bëjë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Për këtë, Osmani ka nisur një turne nëpër komunat që ndër vite kanë probleme me ndotjen.

Dhe ndalesa e parë për të ka qenë Komuna e Obiliqit, ku mori pjesë në një debat të hapur për këtë çështje, raporton KOHA.

Në adresimin e saj, Osmani premtoi angazhim në plotësimin e Ligjit të Obiliqit.

Por, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ngriti shqetësimin për moszbatimin e këtij ligji, derisa shtoi se ka ende punë për të bërë.

Pjesë e diskutimit ishin edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Pas diskutimit, kryetarja e Kuvendit ka vazhduar vizitën për në Liqenin e Kaltër.

Osmani kritikoi zyrtarët e KEK-ut për mosrrethimin e këtij liqeni, duke thënë se përbën rrezik për qytetarët .

Lidhur me liqenet artificiale dhe rrezikun prej tyre, kryeparlamentarja Osmani ka paralajmëruar inicimin e një debati parlamentar në Kuvendin e Kosovës.