Pas reagimeve të shumta që ngjalli deklarata e Shkëlzen Gashi, këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për krimet e supozuara të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, është shkarkuar nga kjo pozitë.
Kryeministri, me anë të një postimi në Facebook, tha se deklaratat e Gashit kishin pasoja shpërqendruese nga puna e qeverisë në detyrë.
“Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi. Disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim. E falënderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, ka njoftuar Kurti, raporton KOHA.
Gashi, gjatë së premtes, në një emision në Televizionin 7, kishte thënë se individë brenda UÇK-së kanë kryer krime ndaj civilëve të pafajshëm pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare.
“Janë faktet nga raportet e organizatave joqeveritare ndërkombëtare, të cilat flasin për krimet që individë nga radhët e UÇK-së i kanë bërë ndaj civilëve të pafajshëm dhe mendoj që këta duhet të dënohen”, kishte thënë Gashi.
PDK-ja, këtë të shtunë, ka mbajtur konferencë për media, ku tha se deklaratat e Gashit kundër UÇK-së përfaqësojnë mendimin dhe diskursin e lidershipit të VV-së.
Deputeti Gazmend Bytyqi ka thënë se Grupi parlamentar i PDK-së do të kërkojë që Kuvendi të miratojë shumë shpejt ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Një nismë të tillë e ka paralajmëruar edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.
Shumë deputetë të kësaj partie kanë reaguar për deklaratën e Gashit.
Reagime kundër kësaj deklarate ka pasur edhe nga djali i Ukshin Hotit, Andini.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka dënuar gjuhën e përdorur nga Gashi, ku akuzoi UÇK-në se ka kryer krime lufte ndaj civilëve serbë.
Gucati tha se Gashi me deklaratat e tij është duke i shërbyer Serbisë çdo herë e më shumë dhe se po e luan rolin e avokatit të Serbisë.
Por, Gashi nuk ishte i vetmi që kishte dhënë deklarata të tilla. Presidenti Hashim Thaqin, në Këshillin e Sigurisë, kishte deklaruar se mund të ketë individë të UÇK-së që kanë kryer krime ndaj civilëve.
KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga Gashi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Ndërsa, gjatë së premtes, në një postim në Facebook, ai ka sqaruar se nuk ka thënë që UÇK-ja ka kryer krime, por individë brenda saj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.