Video

MPJ-ja e Presidenca me mospajtime për çështjen e tërheqjes së ambasadorëve

Fshesa e Glauk Konjufcës, pas konsujve, ka prekur në nivel ambasadorësh.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës gjatë ditës paralajmëroi largime të tjera nga misionet diplomatike, derisa ishte në një tryezë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike.

Dhe me t’u kthyer në zyrë publikoi emrat e ambasadorëve e konsujve politikë, që kishin përmbushur mandatin 4 vjeçar, e të cilët ka propozuar të tërhiqen nga misionet.

Emri i parë në listën prej 7 diplomatëve kosovarë është ai i ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Propozimi për tërheqjen e tyre i është dërguar Zyrës së Presidentit Thaçi, por nga kjo zyrë kanë thënë se ende zyrtarisht nuk e kanë pranuar atë, duke theksuar se çdo kërkesë e Qeverisë do të shqyrtohet, pasi presidenti udhëheq politikën e jashtme, dhe se ai vendos për emërimin apo shkarkimin e ambasadorëve.

“Zyra e Presidentit ende nuk ka pranuar në mënyrë zyrtare, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, ndonjë propozim nga Ministria e Punëve të Jashtme. Çdo propozim që vjen nga Qeveria e Kosovës shqyrtohet nga presidenti, i cili udhëheq politikën e jashtme. Por, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për emërimin dhe shkarkimin e ambasadorëve vendos presidenti”, ka thënë Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Por njëjtë nuk mendon edhe shefi i kabinetit të Konjufcës, Kreshnik Ahmeti, që në një përgjigje për KTV-në, ndër të tjera, ka cituar edhe pjesë nga komentari i Kushtetutës mbi kompetencat e presidentit në emërimin apo shkarkimin e shefave të misioneve diplomatike, ku thuhet se “presidenti i Republikës është i detyruar që të veprojë në bazë të propozimit të Qeverisë për kandidatët për emërim apo shkarkim”.

Megjithatë, Vlora Çitaku nuk ka pritur reagim të presidentit duke shkruar se do të respektojë vendimin e Qeverisë nga e cila, sipas saj, nuk është e dëshiruar, dhe se nuk do të lejojë të bëhet “mish për top në betejën mes Qeverisë e Presidencës”.

Emri i saj së fundmi u përfshi në kundërthëniet që pasuan një njoftim të presidentit Thaçi për njohjen nga shteti i Xhamajkës, njohje që deri tani ka mbetur vetëm në llogarinë e Twitterit të presidentit.

Përndryshe, ndër vendimet e para të Konjufcës në pozitën e ministrit të Jashtëm ishte edhe shkarkimi i 14 konsujve, vendimet për emërimin e të cilëve ishin marrë në kundërshtim me ligjet në fuqi.