Prokuroria kërkon burgim për mashtrim, Hashimi e Rexhepi mohojnë lidhjet me Veselin

24 February 2020 19:21

Të dyshuarit për mashtrim, Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi, kanë kërkuar që të lirohen nga akuza, duke mohuar se ishin thirrur në emër të Kadri Veselit e Xhavit Halitit.

Rrahim Hashimi, duke u bazuar në videoincizimet ku shihet duke numëruar para, ka thënë se provat janë të manipuluara, raporton KTV.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Kadri Rexhepi, ka thënë se në videoincizime ka folur sipas udhëzimeve që i ka marrë nga një numër i telefonit, të cilin ia kishte dhënë Dalladaku, e që i kishte thënë se është i Kadri Veselit.

“Numrin e telefonit ma ka dhënë Faton Dalladaku, duke më thënë se unë i kam dy numra e njërin po ta jap ty, a ky numër është i Kadri Veselit, të cilin nuk e harroj deri në vorr. Në ato incizime kam fol sipas udhëzimeve që i kam marrë sipas këtij numri të telefonit”, ka thënë Rexhepi.

Në fjalën përfundimtare para trupit gjykues, mbrojtja i ka kërkuar Gjykatës që Rexhepi e Hashimi të lirohen nga akuzat, duke konsideruar të paligjshme provat dhe videoincizimet, derisa kanë theksuar se ata asnjëherë nuk e kanë përdorur emrin e Kadri Veselit e të Xhavit Halitit.

Por prokuroria ka kërkuar që Hashimi e Rexhepi të shpallen fajtorë për mashtrim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj më 21 mars 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për veprën penale - mashtrim.

Vitin e kaluar “Koha” kishte publikuar video ekskluzive të të dyshuarve Rrahim Hashim, Kadri Rexhepi e Ekrem Lika, ky i fundit vazhdon të jetë në arrati, ku nga bisedat në video mes tyre përmenden edhe Xhavit Haliti e Kadri Veseli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme