Video

Kosova e Serbia nënshkruajnë dokumente për hekurudhat e autostradën

Me ndërmjetësimin amerikan, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje fillestare, atë për hekurudhat dhe atë për autostradat.

Pak para nisjes së Konferencës së Sigurisë në Munih, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun, Richard Grenell, ka mbledhur ekipet e të dyja shteteve.

Në praninë e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, marrëveshjet janë nënshkruar nga Xhemë Veseli, drejtor i Transportit rrugor, dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës rrugore, raporton KTV.

Ndërkaq, nga Serbia, firmën në këto marrëveshje e ka vënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ambasadori Grenell, dy marrëveshjet i quajti historike, derisa tha se të dyja shtetet duhet të përqendrohen në zhvillimin ekonomik.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se marrëveshjet janë mesazh për paqe dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

Thaçi ka përmendur mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë gjatë këtij viti.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, marrëveshjet e nënshkruara i ka cilësuar lajm të mirë për rajonin.

Të pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve ishin edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, dhe ai në Beograd, Anthony Godfrey.

Kosova dhe Serbia, muajin e kaluar, kanë nënshkruar marrëveshje për hapjen e linjës së veçantë ajrore të fluturimeve Kosovë - Serbi.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në Berlin, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.