Dështon tentimi i parë i kryeministrit Kurti për t`u harmonizuar me presidentin Thaçi

13 February 2020 19:36

Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti bëri të ditura qëllimet që të takojë edhe një herë tjetër presidentin Hashim Thaçi.

Megjithëse pak e pritur, Kurti në “Rubikon” të KTV-së veprimin e arsyetoi me nevojën për harmonizim të qëndrimeve në politikën e jashtme, por edhe përballë Serbisë, në një takim që do të zgjaste më gjatë se ai i fundit.

Dhe menjëherë të enjten, kabineti i Kurtit ka bërë publike ftesën që i ka dërguar Thaçit, e për kohën e takimit presidentit i ishin lënë disa opsione, raporton KTV.

Ftesa u bë në prag të Konferencës për Siguri në Munih, që nis të premten, por doli të jetë e vonuar.

Saktësisht 8 minuta pasi u publikua ftesa e Thaçit mbërriti njoftimi i Zyrës së presidentit, në të cilin thuhej se Thaçi tashmë kishte udhëtuar drejtë Gjermanisë.

Në konferencën e njëjtë do të marrë pjesë edhe vetë Kurti, por udhëton të premten, dhe sërish do të tentojë të takojë Thaçin.

Kurti, megjithëse tha të mos ketë një agjendë definitive, nuk përjashtoi mundësinë që të jetë në një prej paneleve ku pjesëmarrës është edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Përndryshe, në Konferencën e Sigurisë në Myunih, presidenti Thaçi ka paralajmëruar një sërë takimesh, përfshirë ato me ndimëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, dhe ministrin e Jashtëm sllovak, Mirloslav Lajçak, i përmendur si një prej kandidatëve për t’u emëruar i dërguar i BE-së për dialogun.

Presidenti Thaçi fundin e vitit të kaluar dërgoi disa ftesa drejt Kurtit, tek insistonte në realizimin e takimit konsultativ me atëherë mandatarin për formim të Qeverisë, derisa ky i fundit nuk gjente kohë për takim.

Pas disa tentativash edhe takimi mes tyre ndodhi, e që mbahet mend kryesisht për minutat e paktë që zgjati.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme