Presidenti del me dekret, e kryetari i VV-së me video të re drejtuar LDK-së

20 January 2020 19:13

Herë me letra e herë me video po vazhdon komunikimi nga larg i Vetëvendosjes me LDK-në.

Këtë të hënë, përmes një videoje Albin Kurti njoftoi se po e dërgojnë emrin e tij te presidenti që të mandatohet për kryeministër, ani se nuk ka marrëveshje me LDK-në për krijim të Qeverisë, raporton KTV.

Pak orë më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e miratoi emrin e Kurtit për kryeministër derisa e ka quajtur “hap të rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja”.

Letrën me emrin e mandatarit, presidenti ia ka dorëzuar menjëherë Kuvendit të Kosovës.

Kështu, bazuar në Kushtetutë, ka nisur rrjedhja e afatit ligjor prej 15 ditësh që Vetëvendosje të arrijë të gjejë partner koalicioni.

Vjosa Osmani, personi më i votuar në LDK, ka folur edhe një herë për nevojën e bisedimeve mes palëve dhe lënien anash të mospajtimeve për arritjen e marrëveshjes.

Bazuar në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e Qeverisë nuk merr shumicën e votave, atëherë presidenti brenda 10 ditësh duhet të emërojë një kandidat tjetër.

Mandatimi i një personi tjetër është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese rreth 6 vjet më parë.

Sipas kësaj gjykate, është në diskrecion të presidentit të vendosë nëse do t’ia japë edhe një mundësi partisë që ka fituar shumicën në Kuvend, apo të kërkojë nga partitë e tjera nominimin e kandidatit për kryeministër.

“Nuk duhet të përjashtohet që presidenti i Republikës mund të vendosë t'i japë të njëjtës parti ose koalicion edhe një rast për të propozuar kandidatin tjetër, që mund të jetë i suksesshëm në formimin e Qeverisë së re, duke marrë votat e nevojshme në Kuvend. Gjykata konsideron se presidenti i Republikës duhet të vlerësoje se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re”, thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e Kushtetueses.

Mandatimi i kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për kryeministër është bërë pas tre muajsh e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme