Thaçi paralajmëron Kurtin, kërkon të pranojë ose refuzojë nominimin për kryeministër

19 January 2020 19:05

Formim sa më të shpejtë të qeverisë së re, kanë kërkuar sërish ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit gjatë së dielës, Thaçi, duke folur për formimin e mundshëm të qeverisë, ka thënë se është në vullnetin e spektrit politik ta përmbyllë procesin e formimit të institucioneve, raporton KTV.

Ai ka shtuar se shpreson që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk do të marrë shumë kohë për ta pranuar pozitën e mandatarit të qeverisë, përndryshe, siç thotë, duhet ta deklarojë refuzimin.

Derisa, Walker, duke treguar se sa krenar është për arritjet e Kosovës, ka thënë se këtij vendi i duhet qeveria sa më shpejt.

“Mendoj se Kosovës i duhet qeveria, tashmë keni humbur 100 ditë, sot është dita e 101-të apo 102-të, dhe shpresoj që nuk do të zgjasë edhe shumë çështja e formimit të qeverisë dhe Kosova të kthehet në rrugën e progresit, atë që të gjithë në Kosovë e duan dhe më e rëndësishme mbetet që të jeni vend i suksesshëm në Evropën Qendrore”, ka deklaruar ai.

E videon e cila javën e kaluar u shpërnda në rrjetet sociale, ku shihej se Thaçit nuk ia zgjaste dorën Walkeri, e demantoi ky i fundit.

Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili po qëndron në vend në shënimin e 21-vjetorit të masakrës së Reçakut, ka pasur takim edhe me kreun e Lëvizjen e Vetëvendosje dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga edhe ku ka kërkuar që sa më shpejt të formohen institucionet.

Edhe tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Prandaj, prej gjashtë muajsh, Kosova vazhdon të funksionojë me qeveri në dorëheqje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme