Video

Në Reçak kujtohen viktimat civile të terrorit serb në Kosovë

Mes dhimbjes e zhgënjimit vazhdojnë të jetojnë tash e dy dekada, familjarët e viktimave të masakrës së Reçakut.

45 civilë të këtij fshati të Komunës së Shtimes u vranë e masakruan më 15 janar të 1999-s, e ky krim vazhdon të mohohet nga shteti serb, raporton KTV.

Megjithatë, kjo nuk i befason familjarët e këtyre viktimave, pasi thonë se nuk presin asgjë nga shteti fqinj, por veprime kërkojnë nga institucionet vendore.

Në përvjetorin e 21-të të masakrës së Reçakut, kërkesë e njëjtë e tyre vazhdon të mbesë vënia para drejtësisë e dorasëve dhe urdhërdhënësve të kësaj masakre.

Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili kishte alarmuar bashkësinë ndërkombëtare për këtë krim, kthehet çdo vit në Reçak për të kujtuar viktimat, por këtë shpreson që ta bëjnë edhe qytetarët e Kosovës.

“Jam shumë i kënaqur se çdo vit e më shumë njerëz nga Kosova vijnë të shohin Reçakun, çfarë është dhe atë që përfaqëson. Unë nuk jam i lumtur, por i kënaqur që i kushtohet më shumë vëmendje asaj se çfarë ka ndodhur këtu sepse kjo tregon gjithçka ka ndodhur në të gjithë Kosovën. Jam i familjarizuar me masakrën e Reçakut, por kishte dhjetëra e qindra masakra të tjera dhe shpresoj që populli i Kosovës t’i kujtojë ato masakra ashtu siç e kujton masakrën e Reçakut, atë se çfarë ndodhi këtu dhe atë se çfarë ndodhi me krimet e tjera të luftës nëpër Kosovë”, ka thënë Walker.

Ky përvjetor, pos shumë qytetarëve nga i gjithë vendi, bëri bashkë edhe zyrtarë institucionalë dhe partiakë.

Ata kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Reçak, duke thënë se nuk do të ndalen derisa dorasit të dalin para drejtësisë.

Por, edhe këtu, presidenti Hashim Thaçi adresoi kritika për bashkësinë ndërkombëtare, që, sipas tij, ka zgjedhur të heshtë për t’i dhënë hapësirë Serbisë që të mohojë gjenocidin.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se çdo mohim i kësaj masakre është rrezik i riciklimit të dhunës në rajon.

Masakra e Reçakut është një ndër më të rëndat që kanë ndodhur e janë kryer nga forcat serbe në Kosovë dhe e cila nxiti edhe ndërhyrjen e mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare për luftën.