MPJ-ja paralajmëron se do të dorëzojë në Prokurori mijëra dokumente me dëshmi të luftës

10 December 2019 19:10

10 mijë faqe dhe dokumente me prova të reja që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga Serbia, Ministria e Punëve të Jashtme pretendon se ka arritur t’i sigurojë 20 vjet pas luftës.

Në një konferencë të thirrur për media të martën, ministri në detyrë i këtij dikasteri Behgjet Pacolli, ka thënë se të gjitha këto fakte nuk janë trajtuar deri më tani nga drejtësia ndërkombëtare dhe shteti i Kosovës nuk ka pasur qasje në to, raporton KTV.

Sipas tij, ditëve në vijim, dëshmitë do t’i dërgohen Prokurorisë e cila siç ka thënë Pacolli, duhet t’i ndezë motorët për të kapur kriminelët që ende janë të lirë.

Ai ka shtuar se është e turpshme nga ana e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe njerëzve të tij t’i mohojnë krimet e kryera, sikurse është ajo e masakrës së Reçakut.

Pacolli tha se nuk mund të ketë drejtësi për familjarët e viktimave dhe paqe për të dyja vendet, derisa kriminelët të dalin para drejtësisë dhe të dënohen për vrasjen e shumë njerëzve, përdhunimet, e shkatërrimin e shtëpive.

Ai ka përmendur edhe raportin e Dick Martit, për të cilin tha se ishte angazhuar të mos ecë tutje qysh në fillim kur ishte publikuar, por që nuk kishte marrë përkrahje për këtë.

Ndërsa, dhënien e çmimit Nobel një mbështetësi të krimeve të kryera nga ish-presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviqi, e ka quajtur të padrejtë dhe të tmerrshëm.

Pacolli është pyetur edhe për tërheqjen e njohjeve nga disa shtete, të cilat ai ka mohuar se kanë ndodhur zyrtarisht.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme