Gjykatësja obligon mediat që të mos publikojnë dëshmitë e sotshme në rastin e veteranëve

05 December 2019 19:07

Publiku nuk do të arrijë t’i dëgjojë dëshmitë e një sërë dëshmitarëve që mund të implikojnë Agim Çekun dhe 11 të akuzuarit e tjerë në rastin e “Veteranëve”.

Qysh në seancën e shqyrtimit të dytë të këtij procesi gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, ka nxjerrë vendim me të cilin ua ka ndaluar mediave publikimin e dëshmive të dëshmitarëve, derisa të përfundojë procedura e të provuarit, raporton KTV.

E ndonëse një ditë më parë, vetë Mekaj bëri publikë emrat e 6 dëshmitarëve të parë që të dëgjohen në këtë proces gjyqësor, këtë të enjte, ajo e ka ndaluar publikimin e emrave të tyre, derisa seancën e ka lënë të hapur për publikun.

E gjithë kjo, sipas Mekajt, po bëhet që të mos dëmtohet procesi dhe se dëshmitarët të cilët nuk janë dëgjuar ende po kanë mundësi që t’i shohin dëshmitë e njëri-tjetrit në media.

Këtë të enjte, për më shumë se tri orë, është dëgjuar dëshmitari i parë në këtë rast, me inicialet RR. R., derisa në orët e pasdites është dëgjuar edhe dëshmitari tjetër, me inicialet A. R.

Gjatë së premtes, në këtë shqyrtim gjyqësor, pritet të dëgjohen edhe tre dëshmitarë.

Në këtë rast janë duke u akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti, Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, që ka të bëjë me personat që përfituan statusin e veteranit të UÇK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme