“Jeta luksoze e disave dëshmon se në Kosovë ka pastrim parash”

03 December 2019 19:28

“Pavarësisht dënimeve që jepen në rastet e veprave penale që ndërlidhen me pastrim parash, ky dënim nuk është i plotë, nëse nuk ka konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme”, kështu ka thënë këtë të martë në një tryezë ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

E se në Kosovë ka pastrim parash, sipas ambasadorit britanik, e tregon më së miri jeta luksoze e disa personave e cila është në shpërputhje me të ardhurat e tyre personale, raporton KTV.

Vetë krerët e institucioneve të drejtësisë në këtë tryezë, e pranuan faktin se sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me mungesë të konfiskimit të pasurisë, derisa thonë se janë të kënaqur me sekuestrim të përkohshëm të pasurisë.

E për të sjellë përvojat e tij mbi konfiskimin e pasurisë dhe dënimet për këto vepra penale ambasada britanike në këtë tryezë, ka sjellë gjyqtarin Michael Hopmeier nga Southwark Crown Court.

Hopmeirer tha se shumica e atyre që merren me pastrimin e parasë, këto para nuk i mbajnë brenda shtetit, andaj sipas tij, është tejet e rëndësishme që shtetet të bashkëpunojnë mes vete në luftimin e kësaj dukurie.

“Ka një shkallë të bashkëpunimit të konsiderueshëm në këtë fushë dhe bashkëpunimi në këtë fushë është tejet i rëndësishëm, sepse ata që merren me këtë dukuri, nuk i lënë fitimet në bankat e Kosovës...por i dërgojnë në vendet e tjera, prandaj shtetet duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në kuptim të hetimeve për të gjetur të gjitha ato asete, në mënyrë që ato të rikthehen”, ka thënë Hopmeier.

Hopmeier theksoi se Kosova ka ligje efikase në luftimin e dukurisë së pastrimit të parasë, por që është tejet i nevojshëm bashkëpunimi dhe koordinimi i të gjitha institucioneve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme