Kurti: Qeverinë me LDK-në e bëjmë 3-4 ditë pas certifikimit të rezultatit

22 November 2019 19:13

Marrëveshja për ta formuar qeverinë e re në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, do të krijohet 72 orë pas certifikimit të zgjedhjeve.

Të paktën, këtë optimizëm e ka shprehur kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, raporton KTV.

Kurti ka thënë se janë pajtuar me Mustafën që një orë pas certifikimit të zgjedhjeve, të takohen e më pas ta finalizojnë marrëveshjen për 3 ose 4 ditë.

Deri në takimin e radhës me Mustafën, sipas Kurtit, grupet punuese të të dyja partive do të vazhdojnë ta harmonizojnë programin qeverisës.

Pas Kurtit, që nuk pranoi pyetje, para gazetarëve foli kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se nuk kanë diskutuar për ndarje të ministrive e as për postin e presidentit.

Por, tha se marrëveshja e koalicionit duhet t’i përfshijë të gjitha postet.

Kur u pyet për Listën Serbe, Mustafa ka shtuar se i takon partisë së parë që të flasë për partnerë të tjerë të koalicionit.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosje doli fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa e dyta u rendit LDK-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme