Para MASHT-it, banorët e Busavatës kërcënojnë se do t’ua ndalin mësimin fëmijëve tërë vitin

21 October 2019 19:29

“Zyrtarët e MASHT-it janë në zorin e tyre (sikur ju) nga injoranca qeverisëse”, ka qenë porosia që ka ardhur këtë të hënë nga Ministria e Arsimit në drejtim të këtij grupi protestuesish.

Banorët e fshatit Busavatë dhe Krilevë e kanë zhvendosur protestën e tyre në Prishtinë kundër reformës arsimore të kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, raporton KTV.


Për dy muaj radhazi, ata në shenjë proteste vazhdojnë të mos i dërgojnë më shumë se 100 fëmijë në shkollë.

Por, kjo është shkelje bazuar në Ligjin për arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës.

Sipas nenit 3 dhe 15, përgjegjësinë për vijueshmërinë e mësimit për nxënësit e kanë edhe prindërit dhe dështimi që t’u sigurohet mësimi i rregullt, e i cili është i obligueshëm, është shkelje ligjore.

Megjithëkëtë, prindërit nuk janë aspak të brengosur për këtë dhe ata, madje, thanë se nëse ky vendim nuk tërhiqet, nuk do t’i dërgojnë fëmijët fare këtë vit në shkollë.

Në këtë protestë banorët kërkuan edhe të takoheshin me zyrtarë të Ministrisë, mirëpo këta të fundit nuk u paraqitën.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me zyrtarë të MASHT-it për të folur rreth kësaj çështjeje, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme