Grenell në Prishtinë, i takon të gjithë, kërkon rinisjen e dialogut me Serbinë

09 October 2019 19:12

Vetëm pak ditë pasi u emërua i dërguar i posaçëm presidentit amerikan Donald Trump për dialogun me Serbinë, Richard Grenelli ka zbarkuar në Prishtinë.

Diplomati amerikan u befasua nga prania e madhe e medieve.

I shoqëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, Grenelli fillimisht takoi presidentin Hashim Thaçi.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentit, thuhet se Grenell shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti për arritjen e marrëveshjes së paqes mes dy shteteve.

Ndërkaq, presidenti Thaçi ka thënë se vëmendja e SHBA-së për Kosovën rrit besimin për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

Pas takimit me presidentin, Grenelli qëndroi për pak minuta para ndërtesës së Kuvendit, për t’i vazhduar takimet me krerët e partive politike, raporton KTV.

Në ndërtesën e Ambasadës amerikane, hyrje-daljet e liderëve të partive politike ishin të shpeshta.

Të parin që e takoi nga krerët e partive politike ishte Albin Kurti, kryetarin e Vetëvendosjes, parti kjo që doli fituese në zgjedhjet e parakohshme.

Në njoftimin e kësaj partie thuhet se sa i përket dialogut me Serbinë, përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj, sesa afati kohor për të.

Pas Kurtit, nga ky takim dolën edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa dhe e kandiduara e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani.

Me gjasë, i dërguari i posaçëm amerikan Grenell, takimet me liderët e partive politike i zhvilloi në bazë të rezultatit zgjedhor të 6 tetorit.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishin të fundit që u takuan ndaras me diplomatin amerikan.

Menjëherë pasi përfundoi takimet me krerët e partive, Richard Grenell u largua nga Ambasada amerikane, pasi të enjten do të qëndrojë në Beograd.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme