Dy persona kanë vdekur dhe katër të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku në autostradën Vërmicë-Prishtinë gjatë mëngjesit të së shtunës, saktësisht, në fshatin Peqan të Suharekës. Viktimat dhe të lënduarit, të gjithë, janë shtetas të Shqipërisë. Policia e ka konfirmuar rastin, por nuk ka dhënë shumë detaje.
“Sot, më 05.10.2019, në orën 09:30, në autostradë, konkretisht në kilometrin e 36-të Vërmicë-Prishtinë (fshati Peqan i Suharekës), ka ndodhur një aksident ku janë përfshirë dy automjete (një furgon udhëtarësh dhe një kamion). Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy persona dhe tre të tjerë janë lënduar”, ka thënë Policia, raporton KTV.
Një nga të lënduarit është në gjendje të rëndë, dhe nga Spitali i Prizrenit ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Ndërsa, tre të lënduarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetë, të cilët pas trajtimit në Spitalin e Prizrenit janë lëshuar në shtëpi.
Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, viktimat B.B. (1993) nga Tirana dhe E. K. (1985) nga Durrësi ishin duke udhëtuar me një furgon të linjës Durrës-Prishtinë, kur ky i fundit, me një shpejtësi të madhe, e ka goditur një kamion që po bartte zhavor.
Prokurori Beqë Shala ka bërë të ditur se drejtuesi i furgonit është arrestuar nga Policia.
Njëra nga udhëtaret e këtij furgoni ka rrëfyer momentin e aksidentit.
Mjeku kujdestar në QKUK, Naser Syla, i ka thënë KTV-së përmes telefonit, se gjendja e të lënduarit që po trajtohet aty vazhdon të jetë e rëndë. I njëjti, sipas tij, gjendet në mjekim intenziv.
Policia ka apeluar të gjithë pjesëmarrësit në trafik për kujdes të shtuar, pasi në 24 orët e fundit, në tri aksidente të ndara trafiku, kanë humbur jetën pesë persona dhe janë lënduar shtatë të tjerë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.