Video

Ahmeti:Vazhdojmë me zgjerim të sheshit në “Agim Ramadani” e “George Bush”

Vëmendje të madhe i është dhënë debatit në Kuvendin Komunal të Prishtinës të premten, thotë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Për këtë, ai thotë se thirri konferencë për media të shtunën, për t’i komentuar projektet madhore që e presin Prishtinën vitin e ardhshëm, me buxhetin prej 91 milionë eurosh, raporton KTV.

Ahmeti, i cili këto ditë po merret edhe me nivelin qendror, si kandidat për deputet në koalicionin AAK-PSD, ka thënë se konferenca nuk ka të bëjë me fushatë.

I pari i Prishtinës, gjithashtu, bëri të ditur se këtë vit do të bëhen ndryshime të mëdha në kryeqytet.

Ahmeti tha se këtë vit e finalizojnë idenë për vazhdim të sheshit deri te katedralja “Shën Nëna Terezë”.

Sipas tij, sheshi do të zgjerohet edhe përgjatë rrugës “Agim Ramadani”, ku do të ndërtohet një tunel për vetura.

Një projekt të ngjashëm që përfshinte edhe nënkalim, Ahmeti e kishte anuluar në kohën kur ishte zgjedhur kryetar komune. Tani, ai thotë se tuneli për të cilin do të ketë konkurs, nuk ka të bëjë asgjë me projektin “Dodona”.

Ndërkaq, Ahmeti tha se ndërtimi i parkingut nëntokësor do të fillojë së ndërtuari gjatë këtij viti.

Buxheti për Prishtinën u miratua të premten, me 34 vota për e një abstenim.