Nxënësit dhe të rriturit, me protestë në Prishtinë duan anulimin e Kosovës së Re

20 September 2019 19:26

Dhjetëra të vegjël, në vend se të ishin në shkollë, këtë të premte protestuan.

“Na ndihmoni ta shpëtojmë tokën” dhe “Nuk ka një planet B” ishin disa prej pankartave që mbanin në duar.

"Fridays for Future", për pikënisje pati hapësirat e Termokiss, ku u përgatitën shumica e pankartave nga aktivistë e vullnetarë, raporton KTV.

Një prej pjesëmarrësve që u nis nga aty për në marsh, është edhe Mevlude Skuroshi, që së fundmi ka marrë pjesë në kundërshtimin e ndërtimit të një hidrocentrali në Parkun Kombëtar të Sharrit.

Përveç Skuroshit e bashkaktivistëve të saj, marshit “Fridays For Future”, iu bashkëngjitën edhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh, nga vendi, por edhe nga shtete të ndryshme.

Aty u dëgjuan thirrje kundër ndërtimit të hidrocentraleve e gjithashtu, kundër projektit Kosova e Re, që do të shfrytëzojë thëngjillin për prodhimin e energjisë elektrike.

Aktivisti Driton Gusia e ka një përgjigje konkrete kur pyetet se pse nuk po mbillen më shumë drunj.

Në pauzë nga aktivitetet e saj, shkaku i lëndimeve, alpinistja Uta Ibrahimi, u bë pjesë e marshit që përfundoi para Ministrisë së Mjedisit, që konsideron se ndryshimet klimatike, nuk po e marrin vëmendjen e duhur.

Derisa një shtetas turk, tha të ketë marrë pjesë në protestë, për hir të fëmijëve të tij, që i kishte me vete.

“Dua t’ua ngrit vetëdijen, pasi që ata janë 5 vjeç e gjysmë dhe ishte një mundësi që të krijojmë një botë më të mirë me ta dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu”, ka thënë Ali Yildirim, shtetas turk.

E disa prej fëmijëve që morën pjesë, treguan se çka mund të bëhet, që të ngadalësohen ndryshimet klimatike.

Si pjesë e lëvizjes Fridays For Future, është paraparë që në mbarë botën të mbahen mbi 5000 protesta, e që do të kulmojnë me atë në New York, ku marshit i prin aktivistja 16-vjeçare, Greta Thunberg.

Ajo së fundmi, në një video, bashkë më një shkencëtar, ka treguar për rrezikun që i kanoset Tokës nga faktori njeri, duke treguar se brenda ditës, zhduken rreth 200 specie të ndryshme shkaku i ndryshimeve klimatike.

Aty bëhet thirrje që të mbillen sa më shumë drunj, si zgjidhje natyrale ndaj ndryshimeve klimatike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme