Sistemi shëndetësor e armët përplasin kandidatët demokratë për president të SHBA-së

13 September 2019 19:42

Është mbajtur debati i tretë i demokratëve që synojnë të fitojnë garën brenda partiake për t’u nominuar për president.

Joe Biden dhe rivalët e afërt Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders, patën një debat të ashpër për kujdesin shëndetësor.

Debati në Houston të Teksasit shënoi herën e parë kur tre kandidatë kryesorë u përballën në skenë.

Vetëm 10 demokratët që aktualisht vlerësohen më së shumti, kishin të drejtë të merrnin pjesë.

Ish-kongresisti i Teksasit, Beto O'Rourke, mori disa nga duartrokitjet më të mëdha sa u përket masave për kontrollin e armëve.

Ish-zëvendëspresidenti Biden, po udhëheq sondazhet aktuale me një diferencë të konsiderueshme ndaj senatores nga Massachusetts, Elizabeth Warren dhe senatorin e Vermonit, Bernie Sanders.

Çështja se si të reformohet sistemi i kujdesit shëndetësor në SHBA, ka përçarë demokratët e moderuar dhe më progresivë. Sanders dhe Warren të dy mbrojnë planin që të gjithë amerikanët duhet të kenë shërbim shëndetësor falas.

Bideni kritikoi planin e tyre dhe e quajti atë shumë të shtrenjtë .

Sipas tij, qeveria duhet të përqendrohet në përmirësimin e Aktit të Kujdesit Shëndetësor, të miratuar nga administrata Obama.

Ndërkohë, ish-kongresisti i Teksasit, Beto O'Rourke, shtet në të cilin vdiqën 20 persona së fundmi nga sulmi terrorist, u pyet nëse ai mbështet konfiskimin disa llojeve të armëve. Ai tha se nuk do të lejojë që armët të përdoren kundër amerikanëve.

Këtë debat nuk e ka përcjellë presidenti Trump. Ai tha se debati i demokratëve do të fitohet nga Bideni, nëse ai shmang ndonjë gabim të madh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme