Prokuroria po kryen hetimet për përleshjen mes Abazit e Molliqajt

12 September 2019 19:13

Ashpërsimi i gjuhës ndërmjet partive politike ka çuar në përleshje fizike dy kandidatë për deputetë.

Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se mbrëmë është sulmuar nga Dardan Molliqaj i PSD-së pas përfundimit të një debati publik në Televizionin 7.

Abazi ka thënë se ky incident ka ndodhur si pasojë e tensionit që është krijuar brenda debatit, raporton KTV.

Abazi shton se metoda të tilla po përdoren për të larguar vëmendjen nga debati përmbajtësor dhe paraqitja e planprogrameve.

KTV-ja ka provuar gjatë së enjtes që të marrë edhe versionin e Molliqajt për ngjarjen, por ka qenë i paqasshëm.

Pak pas këtij incidenti, Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook ka mohuar të ketë pasur përleshje fizike me Abazin.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka shkruar Molliqaj.

Policia ka bërë të ditur për KTV-në se rasti është iniciuar si sulm, derisa ka konfirmuar se së bashku me Prokurorinë ka nisur një hetim për sqarimin e rrethanave që lidhen me rastin.

“Pas intervistimit të personave te përfshirë në rast, Njësiti i hetimeve te Përgjithshme ne koordinim me prokurorinë përkatëse kane filluar një hetim dhe janë duke punuar për sqarimin te gjitha rrethanave qe lidhen me rastin, i cili me urdhër të prokurorit shkon në procedurë të rregullt”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Ndërsa zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për televizionin se në Polici, përpos Haki Abazit është intervistuar personi i tretë i përfshirë me inicialet F.S dhe Dardan Molliqaj. Sipas Ulajt, Molliqaj është mbrojtur në heshtje.

Gjatë debatit të mbrëmshëm, Molliqaj i kishte thënë Abazit se ngjante me një grua.

E, deklarata të tilla po vlerësohen si seksiste dhe të patolerueshme në Rrjetin e Grupeve të Grave.

Këtë formë të përballjes ndërmjet politikanëve e quajnë shqetësuese në Koalicionin e e organizatave “Demokracia në Veprim”.

DnV-ja u bën thirrje kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, të përmbahen nga gjuha denigruese e seksiste, sulmet verbale dhe fizike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme