Video

Haradinaj nuk shkon në Samitin e Pragës, për të mbledhë vota në Prizren

Për të pranuar anëtarë të rinj për partinë e tij, AAKnë Prizren, Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka anuluar pjesëmarrjen në Samitin e Vishegradit në Pragë, ku kanë shkuar të gjithë homologët e tij nga Ballkani Perëndimor.

Në vend të tij, pranë kryeministrave rajonalë e krerëve të shteteve të Procesit të Vishegradit, është ulur i dërguari me punë në Ambasadën e Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu, kuadër i AAK-së, raporton KTV.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit nën kryesimin e Republikës së Çekisë”, i ka shkruar Haradinajt, Kryeministri çek.

Ky anulim i pjesëmarrjes së Haradinajt vjen në kohën kur Presidenti çek, Milosh Zeman, ka deklaruar se dëshiron t’i diskutojë mundësitë kushtetuese që Republika Çeke të tërheqë njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Por, pas përfundimit të Samitit, në një konferencë për media Kryeministri çek, Andrej Babish, ka thënë se qeveria çeke nuk do të ndryshojë qëndrim për pavarësinë e Kosovës.

“Politika e jashtme e Çekisë është gjithmonë në duar të qeverisë. Nuk shoh asnjë arsye që Çekia të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës. Deklarata të bëra nga Presidenti, opinioni i Zemanit është gjithmonë i njëjti. Nuk është asgjë e re”, ka thënë Andrej Babis, kryeministër i Çekisë.

Gjatë së enjtes, shefi i misionit diplomatik të Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu, ka takuar ambasadorin e SHBA-së në Pragë, Stephen King.

Ambasadori amerikan ka shkruar në Twitter se SHBA-ja e mbështet fuqishëm sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe punon që ajo të bëhet pjesë e plotë e komunitetit ndërkombëtar.