Video

Raporti i KTV-së për fitoren e madhe të Kosovës ndaj Çekisë

Fitore të madhe ka shënuar Kombëtarja e Kosovës drejt kualifikimit për kampionatin evropian të vitit 2020.

Të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Kombëtares së Çekisë, “Dardanët” realizuan fitore me rezultat 2:1, për të rritur edhe më shumë shpresat drejt kualifikimit në “Euro 2020”, raporton KTV.

Kosova ishte duke humbur, por përmbysi rezultatin për të shënuar një nga fitoret më të rëndësishme në histori të saj ndaj rivales së drejtpërdrejtë për vendin e dytë.

Çekia avancoi e para me golin e shënuar në minutën e 16-të nga ish-futbollisti i Romës, Patrik Schick.

Por, vetëm katër minuta zgjati festa e çekëve, sepse një aksion mirë i organizuar nga futbollistët e Kosovës përfundoi me gol. Ishte Vedat Muriqi që me asistim të Elbasan Rashanit, shënoi golin e barazimit.

Në pjesën e dytë, për Kosovën debutoi mesfushori Florent Muslija, duke e zëvendësuar Edon Zhegrovën, derisa para ndeshjes, nga Kombëtarja u pensionua njëri ndër mesfushorët më të mirë të viteve të kaluara, Enis Alushi.

Kosova në disa momente të pjesës së dytë, mori kontrollin e lojës me dy gjuajtjet e Amir Rrahmanit në minutën e 60-të dhe Bersant Celinës një minutë më vonë.

“Dardanët” po kalonin momente të mira dhe në minutën e 66-të iu shpërblye. Skema e ushtruar doli e suksesshme. I rikthyeri Valon Berisha, nga rivënia e këndit, pasoi deri te Mërgim Vojvoda, i cili me të parën gjuajti për epërsinë e parë të Kosovës në 2:1.

Në minutën e 82-të, një dalje të gabuar të Aro Muriqit, Fidan Aliti e përmirësoi, duke e larguar nga vija fatale gjuajtjen e Michael Krmencikut.

Është ndeshja e 15-të që Kombëtarja e Kosovës nuk ka pësuar humbje. Që nga tetori i vitit 2017, ka fituar dhjetë herë dhe ka pesë barazime. Humbjen e fundit e pati pësuar ndaj Islandës në tetorin e vitit 2017, në ndeshjen e fundit kualifikuese për kampionatin botëror të vitit 2018. Të martën, në Southampton të Anglisë, Kosova do të luajë ndeshjen e radhës, kundër Anglisë.