Bozhoviq flet për vrasjen e Ivanoviqit

21 August 2019 13:27

Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda”, Ksenija Bozhoviq, ka deklaruar se në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë përfshirë të gjithë, të huajt, shqiptarët dhe serbët, raporton TV Arta.

Ajo në një interviste për KosovaPress, u shpreh skeptike se do të gjendet ndonjëherë autori i vrasjes së Ivanoviqit.

Sipas saj, hetimet rreth kësaj vrasjeje që nga fillimi kanë shkuar keq. Ajo ka thënë se anëtarët e SDP-së do të insistojnë vazhdimisht dhe nuk do të ndalen kurrë, duke kërkuar nga organet gjegjëse që vrasjen e liderit të tyre ta zbardhin sa më parë dhe që autori apo autorët e kësaj vrasjeje të vihen nën pranga.

Në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e mundshme që do të ndodhin në Kosovë, Bozhoviq ka bërë të ditur se ende nuk janë krijuar kushtet në atë pjesë për zgjedhje të lira dhe demokratike, andaj nuk është marrë ndonjë vendim rreth pjesëmarrjes në këto zgjedhje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme