Matoshi: AKR-ja ka marrë oferta nga të gjithë

21 August 2019 12:28

Ministri në dorëheqje i Mjedisit, Fatmir Matoshi nga Aleanca Kosova e Re, ka thënë se kjo parti ka marrë oferta për koalicion nga të gjitha partitë e mëdha në skenën politike në Kosovë.

Në Interaktiv të KTV-së, Matoshi ka thënë se për pak ditë kjo parti do të vendosë për ofertat. Sipas tij, partia do të shqyrtojë ndër të parat ofertën që ka marrë nga koalicioni AAK-PSD, raporton TV Arta.

Ka thënë se AKR-ja e vlerëson bashkëpunimin me AAK-në e Kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj dhe PSD-në e Shpend Ahmetit. Matoshi ka thënë se një koalicion mes LDK-së dhe VV-së nuk do t’i sillte asnjë të mirë vendit.

“Mendoj se është një blof politik çështja e koalicionit LDK-VV. Kemi qenë pjesë e koalicionit me LDK-në, ku kanë qenë 61 deputetë shqiptarë. Por, s’ka pasur një vullnet të LDK-së e VV-së që të garojnë bashkë. Kam dyshime që mund të arrihet një koalicion LDK-VV, sepse janë shumë të kundërta me njëra-tjetrën, ideologjikisht”, theksoi Ministri në dorëheqje i Mjedisit.

Për PDK-në, ai tha se partia që ai përfaqëson, nuk ka vija të kuqe. Matoshi tha se AKR-ja, edhe si e vetme në garën zgjedhore, do të kalonte pragun.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme