Video

GAP: Taksa nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor

Taksa e vendosur ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura Instituti GAP në prezantimin e analizës “Taksa 100%, a po e ndihmon ekonominë e Kosovës?”.

Ky institut, po ashtu, thekson se Kosova nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, dhe duhet të kërkojë rinegocimin e marrëveshjes së saj, raporton KTV.

Berat Thaçi, nga GAP-i, deklaroi se kjo taksë kur është hartuar, nuk ka qenë e menduar mirë, pasi që nuk ka pasur një analizë paraprake se cilat mund të jenë efektet e saj.

Gjetjet e raportit tregojnë se brenda pesë muajve që nga vendosja e taksës 100%, importet nga Serbia shënuan një rënie prej 88% apo 160 milionë euro, kurse importet nga Bosnja dhe Hercegovina u zvogëluan për 83% apo 24 milionë euro.

Me vendosjen e taksës, sipas kësaj analize, janë rritur edhe çmimet e konsumit në ushqim dhe pije joalkoolike.

Ndër arsyet kryesore, sipas institutit GAP, janë: ulja e konkurrencës në produkte të caktuara, rritja e kostos së lëndës së parë për bizneset vendore dhe rritja e kostos së transportit dhe çmimeve të produkteve të importuara.

Sipas kësaj analize del se shumë produkte serbe janë riregjistruar në vendet e rajonit dhe kanë hyrë në Kosovë, me çmim më të lartë.

GAP thotë se mbajtja e taksës për një kohë më të gjatë, mund të ketë efekte në rritjen e varfërisë.