Po hetohet mbi motivet e 61-vjeçarit që vrau gruan, renë dhe në fund veten

22 April 2019 19:04

Një vrasje e trefishtë ka tronditur të hënën kryeqytetin.

Një 61-vjeçar rreth orës 13:00 brenda në banesën e tij në rrugën “Bill Klinton” ka vrarë gruan e tij 60- vjeçare dhe të renë 28- vjeçare.

61- vjeçari, i cili dyshohet të ketë pasur probleme psikike, më pas ka vrarë edhe veten, raporton KTV.

Banorët thonë se nuk kanë dëgjuar më herët nëse familja kishte pasur probleme ndërmjet vete.

Njësiti hetimor i Policisë dhe ekipet e mjekësisë ligjore, menjëherë arritën në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për rastin.

Për më shumë se katër orë, ekipet e Forenzikës kanë qëndruar në vendin e ngjarjes.

Pak para orës 18:00 trupat janë nxjerrë për t’u dërguar për obduksion.

Kryeprokurori Imer Beka ka thënë se ende nuk dihen motivet e vrasjes.

Por, familjarët e bashkëshortes së dorasit, prapa kamerës i kanë thënë KTV-së se i dyshuari ka tentuar ta vrasë edhe vitin e kaluar dhe ushtronte dhunë fizike ndaj saj.

Ata kanë treguar se dorasi kishte probleme psikike dhe nuk kishin pasur kontakt afër 4 vjet me të.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme