Video

Haradinaj kërkon nga të rinjtë të mos ikin, e Kurti thotë se vetëm zgjedhjet e shpëtojnë vendin

Për kryeministrin Ramush Haradinaj, Kosova është Evropë vetëm se i mungon lëvizja e lirë.

Duke iu referuar ikjeve të të rinjve, Haradinaj në shënimin e 14-vjetorit të themelimit të një gjimnazi privat në Prizren, tha se të rinjtë duhet të qëndrojnë në vend, raporton KTV.

Ai premtoi zhvillim sikurse në shtetet evropiane.

Kreu i Ekzekutivit, në një takim që ka pasur me strukturat e partisë së tij në Ferizaj, ka deklaruar se ka kërkuar viza pune për qytetarët e Kosovës edhe në SHBA.

Por, ka shtuar se edhe nëse ata u largojnë nga puna 20 persona të afërm të tyre, nuk ndryshon gjendja me vende të punës.

Por, për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, vetëm zgjedhjet e reja do të mund të nxirrnin Kosovën nga kjo krizë.

Albin Kurti thotë se në Kosovë duhet të krijohen vende të reja pune.

Ditëve të fundit, nga Kosova u larguan mijëra qytetarë, prej tyre, kryesisht të rinj.

Për këtë çështje, është mbajtur edhe seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.