Një vit nga demarkacioni, të dyja shtetet e konsiderojnë çështje të mbyllur

21 March 2019 19:55

Një vit ka kaluar nga dita kur 80 deputetë të Kuvendit dhanë votën pro marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi.

Mes tymit të gazit lotsjellës të opozitës, pakënaqësive të banorëve të zonës së Rugovës, të mbështetur nga mijëra kosovarë, një gjë pozitive që nxirrej nga kjo marrëveshje ishte se, në rast miratimi, Kosova do ta merrte liberalizimin e vizave.

Por, kjo nuk ndodhi, e edhe mundësia e rishikimit të gabimeve eventuale në pretendimet për humbjen e 8,200 hektarëve duket se ka mbetur vetëm deklarata.

Pikërisht këtë të enjte, në Kosovë ka qëndruar ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq dhe ka takuar homologun e tij.

Për të dy, çështja e kufirit është e mbyllur dhe vija kufitare vetëm ka mbetur të shënohet.

“Jo komisioni për demarkim, por ai për delimitim do ta bëjë punën e vet. Prandaj, nuk e konsideroj si çështje të hapur ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Srdjan Darmanoviq.

Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, në zyrën e tij e ka pritur edhe kryeministri Ramush Haradinaj, por, pas takimit, nuk është prononcuar si rëndom, e as në postimin në rrjete sociale, nuk e ka përmendur çështjen e kufirit.

Por, se ishte mashtruar me këtë temë, Haradinaj e kishte pranuar më 2 mars, në një tubim të partisë së tij.

E, pikërisht këtë ia kanë përmendur deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka edhe i kanë kërkuar përgjegjësi.

Se ku është kufiri me Malin e Zi, i ka pyetur qytetarët kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, në rrjete sociale, derisa ka rikujtuar sulmet që ishin bërë ndaj tij në atë kohë.

“Pranojeni të gjithë ju se e keni pasur vetëm për vota dhe pushtet. Pranojeni edhe fajin që i morët në qafë qytetarët dhe i privuat nga liberalizimi i vizave për shkak të egos suaj,” ka shkruar mes tjerash Mustafa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme