Video

Kuvendin e presin dy seanca të jashtëzakonshme

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka vazhduar praktikën e shpërndarjes së mjeteve financiare, duke përfshirë edhe ato nga rezervat shtetërore.

Në Ligjin për Buxhetin, për vitin 2019, buxheti i rezervave shtetërore është 4 milionë e 800 mijë euro, raporton KTV.

Por, vetëm për dy muaj të këtij viti, me vendime të qeverisë, janë ndarë nga buxheti rezervë 1 milion e 400 mijë euro.

Këto shpenzime financiare të qeverisë, opozita i quan zhvatje të buxhetit të varfër të shtetit.

Për këtë çështje, LDK-ja, Vetëvendosje dhe Alternativa, kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Ndërkaq, deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, thotë se qeveria duhet të japë llogari dhe përgjegjësi në Kuvend për shpenzimet e buxhetit.

Vetëm për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë, qeveria Haradinaj ka ndarë 500 mijë euro. Kjo nxiti reagime të shumta, duke u konsideruar si keqpërdorim i këtyre mjeteve financiare.