Video

Veriorët i gëzohen vizitës së Putinit në Beograd, Mitrovica mbushet me flamuj serbë e rusë

Me mbishkrimin “Ne jemi vëllezër”, shumë pankarta janë vendosur në pjesë të ndryshme në veri të Mitrovicës, duke i uruar mirëseardhje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Në ditën kur presidenti rus, Vladimir Putin, po qëndron për vizitë në Beograd, shumë flamuj të Rusisë si dhe Serbisë janë vendosur në veri të vendit. Qytetarët e kësaj pjese nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës, por prapa saj ata i kanë uruar mirëseardhje Putinit, duke thënë se besojnë që Rusia do të ndihmojë në procesin e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës Jugore, Faruk Mujka, ka thënë se këto veprime të serbëve në veri janë arsye shtesë që të bëhet bashkimi i këtij qyteti.

“Është e papranueshme dhe një arsye shtesë për bashkimin e qytetit, sepse dëshirojmë shtrirjen e institucioneve shtetërore në tërë territorin e Republikës dhe jo që qytetarët tanë e posaçërisht ata shqiptarë në veri ta kenë ndjenjën se jetojnë në Rusi dhe se janë të harruar apo edhe të tradhtuar nga shteti i tyre. Aq më tepër kur këto ditë përmendet marrëveshja finale me Serbinë, ku palë e përfshirë, pos SHBA-së, përmendet edhe Rusia, e cila tradicionalisht ka punuar kundër interesave shqiptare”, ka thënë Mujka.

Edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka komentuar vizitën e Putinit në Serbi, duke thënë që Serbisë s’i ka mbetur tjetër veç anëtarësimi në Bashkimin Sovjetik.

Rusia, nëpërmjet Serbisë, është ndër vendet që u ndihmon më së shumti qytetarëve të Mitrovicës Veriore.