Krejt çfarë ndodhi në ditën e dytë të grevës së mësimdhënësve

15 janar 2019 19:20

Ka vazhduar edhe në ditën e dytë greva e mësimdhënësve në Kosovë, e cila po mbahet nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 12, raporton KTV.

Kërkesën për rritje të koeficientit e përkrahë Këshilli i Nxënësve të Kosovës, por jo edhe vazhdimin e grevës.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nëpërmjet një komunikate për media, thekson se nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e dialogut për rritjen e koeficientit për mësimdhënësit, ndaj greva do të prodhojë efekte negative sidomos për fëmijët parashkollorë dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

Ndërkaq, anëtarë të Këshillit Qendror Grevist, kanë vizituar shkollën fillore “Elena Gjika” prej ku u tha se disa lajme për ndërprerjen e grevës, nuk janë të vërteta dhe se nuk do ta ndalin grevën derisa të ketë lëvizje së paku për 30 për qind.

Grevën e ka përkrahur nënkryetarja e BSPK-së, Leonora Lokaj.

Ajo ka theksuar se BSPK-ja e mbështet SBASHK-un deri në realizimin e kërkesave të tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme