Premtimi i shtetit për familjarët e të pagjeturve

31 December 2018 19:06

20 vjet pas përfundimit të luftës, krerët shtetërorë shpresojnë se çështja e të pagjeturve të zgjidhet në marrëveshjen finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë vënë kurora lulesh te Lapidari në hyrje të Kuvendit që kujton edhe 1600 të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë, raporton KTV.

Por, Presidenti Thaçi është larguar pa folur, pasi Bajram Qerkini që udhëheq me Shoqatën “Zëri i prindërve”, ka kërkuar nga ai dhe Veseli që të presin kryeministrin, Haradinaj.

Sidoqoftë Veseli ka qëndruar më gjatë ku para familjarëve ka thënë se mallkimi për Serbinë do të vijë pikërisht nga familjarët e të zhdukurve dhe sipas tij, shtetet duhet të intensifikojnë kërkimet që kësaj çështjeje t’i vihet pika.

Kryeministri Haradinaj, ka bërë të ditur se çështja e të pagjeturve do të jetë një nga temat e këtij dialogu që do të nisë më 2019-n, por nuk ka precizuar nëse do të jetë kushti final për t’u arritur marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Ai ka thënë se megjithëse janë vonuar, është më mirë vonë se asnjëherë të flitet për këtë çështje.

Ndërkaq, u ka premtuar familjarëve të të pagjeturve se kërkesa e tyre për ligjin i cili do të rregullojë statusin e tyre, do të bëhet gjatë 2019-s.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme